• Feb 18, 19

Si e mbështeti EP-ja zvicerane këtë fushatë ndërkombëtare dixhitale për promovimin e turizmit shqiptar?

JM: Ne kemi sjellë Damjan Damjanovski, ekspert, i cili propozoi temën 'Taken' për fushatën. Ai punoi për 2 ditë me Blerinën në shtator këtu në Tiranë. Ishte shpërthyese, me ide që fluturonin përreth dhe duke u bë një punë e vështirë. Në vijim të konceptit të Damjanit dhe punës fillestare të bërë nga Blerina dhe ekipi i saj, ekspertë të tjerë të Zvicrës, si Neil Cocker, dhe në fund Roland Simon punoi me Blerinën për të përmirësuar më tej fushatën dhe për të zhvilluar strategjinë e saj të hapjes.

Pse mendoni se Shqipëria është një vend për t'u vizituar nga turistët? Si mund të rrëmbehet nga Shqipëria një udhëtar ndërkombëtar?

JM: Për mua, në qoftë se Shqipëria nuk mund të bëjë turizëm, atëherë paketoni valixhet. Bëj shaka kuptohet, por me gjithë seriozitetin, Shqipëria është tepër e bukur dhe e gjithanshme, ashtu siç është krijuar për turizmin, dhe shqiptarët janë mikpritës prej natyre. Ushqimi është fantastik dhe shpesh shumë i shëndetshëm. Dy vjet më parë prindërit e mi 70 + vjeç erdhën për një vizitë. Unë isha duke punuar që kështu për dy ditë ata shëtitën vetëm në të gjithë Tiranën - mendova, por përgjatë rrugës takuan njerëz të mrekullueshëm, të cilët folën me ta dhe u treguan vende në qytet që unë nuk e dija se ekzistonin. Ku tjetër do të kishin vendasit kohën dhe interesin për të ndarë një histori me të huaj ardhur nga Veriu që bredhin rrugët e Tiranës? Shqiptarët janë mikpritësit e përsosur. Udhëtari ndërkombëtar do të rrëmbehet nga karakteri dhe ngrohtësia e tyre mikpritëse.

Çfarë lloj turistësh duhet të presim?

JM: Mendoj se ju mund të merrni turistët që dëshironi dhe punoni më shumë për të marrë. Nëse ju ofroni rërë- det-diell, ju merrni një lloj të caktuar turisti, nëse ju ofroni turizëm aktiv, ju merrni një lloj turisti krejt tjetër, sepse sipas mendimit tim janë dy persona të ndryshëm. Për mua, turizmi në plazh përgjithësisht do të thotë turizëm masiv. Unë nuk kam asgjë kundër turizëm masiv si të tillë, nëse bëhet siç duhet mund të jetë një shtytje masive për ekonominë lokale, por për të funksionuar nevojiten operatorë turistikë ndërkombëtarë që sjellin qindra mijëra turistë dhe infrastrukturën për t’i përballuar ato. Shqipëria nuk është ende gati për këtë. Kjo gjë na lë me turistët aktivë, persona që gëzojnë dhe paguajnë për një përvojë turistike më personale.

Shqipëria shpesh sulmohet nga një reputacion "i keq" në botë. Si mund t'i luftojmë këto stereotipe përmes turizmit?

JM: Rekomandimi im është të mos luftohet me këtë gjë drejtëpërdrejtë, por të përfitohet nga ajo. Më lejo të shpjegohem! Unë kam punuar në Rusi, Evropën Lindore dhe Ballkanin për 25 vjet. Gjatë viteve, keqbërësit e filmave të Hollivudit kanë ndryshuar. Të gjithë ne e kujtojmë Ivanin në Rocky V. Në atë kohë, keqbërësi ishte pothuajse gjithmonë rus. Roli i djalit të keq më pas u kaloi serbëve dhe bullgarëve, dhe tani është tek shqiptarët. A do të thotë kjo që ju nuk jeni të sigurt për të ecur në rrugët e Moskës, Beogradit, Sofjes dhe Tiranës? Përkukndrazi, këto janë ndoshta disa nga qytetet më të sigurta në Evropë. Mos harroni çfarë ju tregova për prindërit e mi të moshuar në Tiranë. Pra, fakti që Shqipëria përmendet në kaq shumë filma, kjo do të thotë se Shqipëria ekziston në mendjen e të tjerëve jashtë Shqipërisë. Dhe kjo është gjithmonë një pikënisje më e mirë, sesa të duhet së pari të shpjegosh ekzistencën tënde. Mënyra e vetme për të luftuar stereotipet është të provosh se ato janë të gabuara. Për këtë, ju duhet  kohë dhe turistë në Shqipëri. Përvojat e tyre personale pozitive në Shqipëri, do të përbëjnë tregimet që do të ndajnë me miqtë e tyre në kthim. Histori pas historie imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë. Ju jap një shembull, përsëri me vizitën e prindërve të mi në Shqipëri. Në Berat, babai im harroi xhaketat e tij në hotel. Ai nuk e kuptoi deri sa hapi çantën e tij në mbrëmje pas kthimit në Tiranë. Nëna i tha të blinte xhaketa të reja, të cilat do të kishin qenë të mira për ekonominë lokale, por babai nuk pranoi të bënte pazar. Çfarë të bënim? Të kthehenim në Berat për dy xhaketa nuk ishte një opsion. Më pas u kujtova se një person nga stafi im është nga Berati, ajo telefonoi babanë e saj, i cili shkoi në hotel, mori xhaketat e babait tim, i solli me autobusin e mëngjesit për Tiranë, ku anëtari i stafit tim i mori dhe i solli në zyrë në ora 09:00 në mëngjes! Cilën histori mendoni se prindërit e mi treguan kur u kthyen në Suedi?

Çfarë mund të sjellë kjo fushatë digjitale marketingu për komunitetin shqiptar dhe sipërmarrësit e turizmit?

JM: Më shumë turistë, që do të thotë më shumë punë dhe të ardhura.

Çfarë duhet të marrim parasysh kur ftojmë një turist të huaj në Shqipëri?

JM: Unë gjithmonë nxjerr në pah tri gjëra - moti, ushqimi dhe mikpritja e njerëzve.

Cilat janë 5 gjërat e tua të preferuara për të bërë në Shqipëri?

JM: Unë jam këtu për të punuar, prandaj së pari në listë do të ishte të kaloja kohë me njerëzit që punoj. Më pas kënaqem duke u ulur dhe duke shikuar njerëzit, duke pirë kafe, nganjëherë çaj, birrë ose verë në varësi të momentit të ditës, dhe duke folur me njerëzit, gjë që unë dua të bëj kudo - në bllok, në rrugët e këmbësorëve (pedonale) në Gjirokastër, Berat, Korçë Shkodër, ose kudo nëpër plazhet e Shqipërisë. Në verë, si familje ne qëndrojmë tek Plazhi i Gjeneralit, çdo vit që nga viti 2013! Është një margaritar ende për t’u zbuluar plotësisht, ashtu si Shqipëria :).