Ajo që dua të them, para se gjithash është se, unë e dua këtë vend.
E dua energjinë që me jep sa herë që lundroj në kanione e lumenj, ngjis malet, zhytem në ujërat e kristalta apo vozis me kajakë në laguna.
Sigurisht që kjo që thash më lart nuk është diçka që e vendosa tani, por kjo ndjenjë është formuar tek unë me kalimin e viteve. Gjatë këtyre 17 viteve të fundit në fakt, qëkur nisa aventurën time të parë me rafting.
Shqipëria është vendi më i bukur në botë për mua.
Më besoni, nuk e ekzagjeroj me këtë që them.
Ky vend më ka "rrëmbyer" zemrën! Jo vetëm mua.
Gjatë këtyre viteve pune me turistët, kam takuar mijëra prej tyre.
Ka nga ata që më thonë: nuk e besoja se do të shihja natyrë kaq të bukur, një copëz parajse të fshehur në zemër të Europës dhe do të takoja njerëz kaq bujarë.
Për shkak të historisë së Shqipërisë, të huajt përpara se të shkelin në Shqipëri, e konsiderojnë vendin tonë si të rrezikshëm, ku mund të vidhen, vend ku jeta nuk është e sigurt dhe... mund të rrëmbehen.
Për këtë të fundit kanë të drejtë, pasi sapo kanë ardhur këtu, janë rrëmbyer!
"Taken" dhe Marko nga Tropoja është filmi që na frymëzoi të ideonim të kundërtën e mesazhit që jep ky prodhim kinematografik për vendin tonë.
E kam parë etjen që kanë të huajt për të vizituar dhe shijuar bukuritë e Shqipërisë.
Ata nuk kanë nevojë që të rrëshqasin mbi një tram në qytete të mëdha, ata duan të ecin në malet tona të thepisura, të lundrojnë në lumenjtë tanë e të shijojnë bregdetin tonë i cili konsiderohet si një diamant ende i pa zbuluar.
Unë e di se nëse ka një rrugë të sigurtë ku mund të zhvillohet Shqipëria është turizmi i qëndrueshëm.
E kam parë gëzimin dhe shpresën që turizmi sjell në zonat më të izoluara të Shqipërisë dhe forcën e transformimit të kësaj industrie duke ndryshuar jetën e banorëve, duke hapur vende të reja pune, më shumë mirëpunësim për të rinjtë dhe të ardhura për komunitetin e sidomos për vajzat dhe gratë.
Sigurisht që nëse ka dicka që më ka mësuar sporti dhe turizmi është puna në skuadër dhe unë jam me fat pasi në Shqipëri përditë takoj njerëz të përkushtuar të cilët besojnë se me punë dhe dashuri mund të kontribojnë për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të bukur.
Falenderoj Ambasadën e Zvicrës që nëpërmjet Swiss Entreprenurship Program më mbështetën me ekspertët më të mirë që më mentorojnë prej muajit shtator. Mirënjohje Ambasadorit të Bashkimit Europian që e përqafoi këtë ide që në hapat e parë dhe u bë një nga lajmëtarët e Shqipërisë së bukur bashkë me Ministrin Klosi. Një falenderim të veçantë per aktorin Arben Bajraktaraj, pa të cilin nisma jonë nuk do kishte kuptim. Falenderoj Aeroportin e Rinasit, portën e madhe hyrëse të turistëve që pranoi menjëherë të bëhej pjesë e skuadrës sonë. Pa Zamon dhe Federatën Shqiptare të Rafting, ky projekt nuk do mund të realizohej.
Së bashku me të gjithë miqtë e mi tashmë, kampionët e fushatës "Be taken by Albania" Florjan Binaj, Era Rusi, Kanita, Venera Lumani, Kelly, Alban Ramosaj, e shumë këngëtarë të talentuar, artizanë duarartë si Adi Guni, biznesmenë të suksseshëm si Altin Prenga, gazetarë e artistë që janë bërë pjesë e kësaj video me kontributin e tyre vullnetar, kemi shëtitur në të gjithë Shqipërinë kemi mbledhur copëza bukurie duke formuar këtë pazëll që zgjat vetëm 2 minuta.
Ne nuk pretendojmë që nëpërmjet këtyre imazheve të huajt të kuptojnë gjithçka mbi Shqipërinë.
Ne duam dhe i ftojmë që të vijnë e ta vizitojnë këtë vend.
I ftojmë që të "rrëmbehen" nga Shqipëria dhe të bien në dashuri më të.
E ndjeva si detyrim, së bashku më të gjithë miqtë dhe partnerët që më kanë ndihmuar, t'i bëj këtë dhuratë vendit tim duke i treguar të gjithëve se sa i bukur është. Kjo video është vetëm fillimi i një fushatë të shqiptarëve kudo janë, që besojnë te Shqipëria dhe potenciali i jashtëzakonshëm turistik që kemi.
Ju faleminderit të gjithë që jeni këtu dhe ju ftoj ta shohim së bashku këtë video që shpresoj ta pëlqeni dhe shpërndani të gjithë në rrjetet tuaja sociale dhe në faqen e ueb takenbyalbania.com të nënshkruani peticionin për të ftuar aktorin Liam Neeson e çdo të huaj të vizitojë Shqipërinë. Ndajeni me familjarët tuaj që jetojnë jashtë sepse ata janë ambasadorët tanë dhe Shqipëria jonë në sytë e të huajve dhe kërkojini atyre t'ia tregojnë miqve e kolegëve në vendet ku jetojnë e punojnë sepse Shqipëria është gati t'i rrëmbejë zemrën me dashuri dhe mikpritje.
#takenbyalbania #liamneeson