• Mar 18, 19

Ka kohë që më ka rrëmbyer Shqipëria. Bukuritë e saj natyrore, trashëgimia e pasur kulturore, ushqimi i shijshëm dhe njerëzit zemërmirë! Edhe ju, gjithashtu, mund të keni dëshirë të njihni Shqipërinë e vërtetë përtej paragjykimeve. Evropa dhe bota duhet ta njohin Shqipërinë e vërtetë.

I dashur ministër Klosi,

Ambasador Maitre,

Të nderuar mysafirë,

Më kishte rrëmbyer ndërkaq Shqipëria që para se të emërohesha Ambasador i BE-së dhe më duhet ta pranoj se kjo situatë pengmarrjeje po bëhet gjithnjë e më serioze pas çdo jave që po kaloj këtu!

Si të mos rrëmbehesh nga riviera e bukur e Jonit, nga malet madhështorë të Veriut, trashëgimia e pasur kulturore dhe historia e vendit, nga ushqimi i shijshëm dhe njerëzit zemërmirë? Pa harruar jetën e gjallë të qytetit të Tiranës.

Për fat të keq, kur nuk e keni vizituar kurrë, paragjykimet janë të mëdha. Shumica e njerëzve i formojnë opinionet e tyre mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga ajo çka shohin apo lexojnë në media apo në filma.

Në Shtetet Anëtare të BE-së, shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të ndershëm dhe punëtorë. Ata janë të suksesshëm në profesionin e tyre, të integruar mirë dhe të respektuar nga komunitetet e tyre. Por ka edhe një pakicë "Marko nga Tropoja", mbi të cilët raportojnë mediet dhe siç e dimë, lajmi i mirë nuk përbën lajm.

Megjithatë, sa herë që dikush vjen të vizitojë vendin, ata mbërrijnë me një bagazh të plotë mendimesh të njëanshme dhe paragjykimesh, por largohen me një buzëqeshje në fytyrë dhe me dëshirën për t'u kthyer. Të gjithë ata i rrëmben Shqipëria!

Shtatorin e kaluar, organizuam një vizitë me rreth 20 gazetarë nga gazetat kryesore gjermane. Ata shkruanin rregullisht për Shqipërinë, por nuk e kishin vizituar kurrë vendin. Pas tri ditësh qëndrimi këtu, pothuajse të gjithë artikujt që ata shkruan ishin pozitivë.

Evropa dhe bota duhet të njohin Shqipërinë e vërtetë. Jo një realitet të shtrembëruar. Sot më shumë se kurrë.

Kjo është arsyeja përse e mbështeta fuqimisht fushatën "Rrëmbyer nga Shqipëria" që herën e parë që dëgjova për të, ndërsa po bëja rafting në kanionet e mahnitshme të lumit Osum. Dhe besoj se më keni parë duke folur prej andej në video, në minutën 1:32.

Gjatë javëve të fundit, Bashkimi Evropian po zhvillon një fushatë mbi "Evropianët që bëjnë ndryshimin", që paraqet Altin Prengën, shefin që e bëri “Mrizin e Zanave” të famshëm përtej kufijve të Shqipërisë. Fushata paraqet individë të talentuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë bërë modele për ndjekjen e pasionit të tyre.

Kjo histori dhe historia e sotme janë nga ato lloj historish që bota ka nevojë t’i shohë dhe unë jam i bindur se fushata "Rrëmbyer nga Shqipëria" do të kontribuojë për ta ndryshuar rrëfimin mbi vendin. Njerëzit në Evropë dhe në botë duhet të dinë më shumë për vende si Kanioni i Osumit dhe shqiptarët si Altini.

Por ata kanë nevojë për mbështetjen tonë. BE-ja do të rrisë angazhimin e vet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe bukurinë natyrore të Shqipërisë. Nëpërmjet Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, këtë vit ne do të prezantojmë një program prej 40 milionë Eurosh për të mbështetur turizmin me cilësi të lartë dhe të qëndrueshëm.

Potenciali është jashtëzakonisht i madh, shqiptarët janë të gatshëm për të mirëpritur vizitorët, natyra është e mahnitshme - ajo çka ju duhet, hap pas hapi, është të ndryshoni imazhin.

Unë jam i bindur se një nga këta hapa do të jetë suksesi i fushatës "Rrëmbyer nga Shqipëria".

Mund të duhet kohë, por siç e dini, në filmin e fundit të trilogjisë “Taken”, të këqijtë nuk janë më shqiptarët!

Faleminderit!